Kosova U19 mbyll me fitore turneun IHF Trophy – triumfon ndaj Belgjikës në Prishtinë

Në një atmosferë të ngrohtë sportive dhe me mbështetje të fuqishme nga tribinat e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Kosova U19 e ka mbyllur me fitore ndeshjen e fundit në kuadër të IHF Trophy për zonën evropiane. Vajzat tona shënuan një triumf të merituar ndaj Belgjikës U19 me rezultat 31:27, në një përballje dinamike dhe të mbushur me emocione.

Pjesa e parë foli në favor të belgëve, të cilat shfrytëzuan disa gabime të skuadrës sonë dhe krijuan epërsi të lehtë. Megjithatë, në pjesën e dytë skena ndryshoi tërësisht: kombëtarja jonë u rikthye me më shumë vendosmëri, ritëm agresiv dhe lojë të koordinuar duke përmbysur rezultatin dhe duke marrë kontrollin e ndeshjes deri në fund.

Fitorja ndaj Belgjikës e mbyll pjesëmarrjen e Kosovës në këtë turne me imazh pozitiv dhe me sinjale të qarta për potencialin e madh të kësaj gjenerate të re të hendbollit. Vajzat tona treguan karakter, disiplinë dhe shpirt gare duke e bërë vendin krenar. /Kosova.info/


Go to TOP