Abdixhiku: Skandali i mafias energjetike po i kushton Kosovës një miliard euro

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar qeverinë për atë që e quan “skandali më i madh energjetik në historinë e vendit”, duke theksuar se vendi po i afrohet shifrës së një miliard eurove të shpenzuara për importe të energjisë gjatë pesë viteve të fundit.

Në një reagim publik, Abdixhiku vlerësoi punën e deputeteve të LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Janina Ymeri, të cilat në konferencën e sotme, sipas tij, shpalosën “me guxim dhe qartësi” të gjithë zinxhirin e përfituesve nga kjo skemë, duke e vendosur në qendër biznesmenin serb Vuk Hamović.

Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë periudhës 5-vjeçare nën qeverinë aktuale, Kosova ka importuar energji në vlerë prej 811 milionë eurosh, ndërsa vetëm në vitin 2024 janë shpenzuar 247 milionë euro për blerjen e rrymës. Abdixhiku theksoi se këto shifra janë të papranueshme për një vend që konsiderohet ndër më të varfrit në Evropë.

Ai shtoi se 1 miliard eurot e destinuara për importe do të mund të përdoreshin për zhvillim ekonomik, rritje të kapaciteteve prodhuese, investime në shëndetësi, bujqësi apo në rritje pagash për mësimdhënësit dhe mjekët – por, siç u shpreh ai, “këto para kanë përfunduar në një skemë të errët nga e cila fiton mafia energjetike dhe humb qytetari i Kosovës”.

Abdixhiku u shpreh se LDK po e mbron interesin publik dhe po e ngre këtë çështje me vendosmëri, duke theksuar se vendi “meriton dritë, jo errësirën e aferave korruptive”.

LDK ka paralajmëruar se do të vazhdojë me publikimin e detajeve dhe me kërkesat për përgjegjësi politike e institucionale rreth këtij skandali./Kosova.info/

Go to TOP