Muharremi kërkon meritokraci në LDK: Hykmete Bajrami e meriton pozitën Nr. 2 në listë

Analisti Shenoll Muharremi ka dalë me një reagim të fuqishëm publik, ku vlerëson Hykmete Bajramin si njërën nga politikanet më të spikatura të opozitës në vitet e fundit duke e cilësuar atë si figurën më proaktive, më kompetente dhe më kredibile jo vetëm brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, por në mbarë spektrin politik opozitar.

Sipas Muharreimit, Hykmete Bajrami ka qenë në vijën e parë të shumë debateve thelbësore duke ekspozuar skandale duke analizuar politikat publike dhe duke artikuluar qëndrime të qarta e të argumentuara në një kohë kur politika kosovare shpesh dominohet nga zhurma, polarizimi dhe deklaratat sipërfaqësore. Ai thotë se askush në opozitë nuk ka qenë më e zëshme, më e qëndrueshme dhe më punëtore se Bajrami.

Në këtë kontekst, Muharremi i ka bërë apel LDK-së që në listën zgjedhore për 28 dhjetorin ta vendosë Hykmete Bajramin në pozitën Nr. 2 duke argumentuar se një vendosje e tillë do të ishte sinjal i qartë për meritokraci, vlerësim të punës dhe respekt ndaj atyre që kanë mbajtur opozitën gjallë me argumente, profesionalizëm dhe integritet.

Ai paralajmëron se nëse LDK nuk e reflekton këtë realitet, rrezikon të mos e shfrytëzojë potencialin e vet elektoral dhe të dërgojë mesazhe të gabuara tek publiku, në një moment kritik për besimin e qytetarëve. Sipas tij, shpërfillja e kontributit të Bajramit do të nënkuptonte se partia ende nuk ka mësuar mjaftueshëm nga gabimet e së kaluarës. /Kosova.info/


Go to TOP