Kabashi alarmon për mbylljen e institucioneve: 462 ankesa për qasje në dokumente vetëm në 6 muaj

Festim Kabashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur alarmin për, siç e quan ai, “terr informativ qeveritar” duke theksuar se institucionet e Kosovës po bëhen gjithnjë e më të mbyllura ndaj mediave dhe kërkesave për qasje në informacion, shkruan Kosova.info.

Kabashi ka bërë të ditur se, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) janë paraqitur 462 ankesa për qasje në dokumente publike – një shifër që sipas tij dëshmon qartë mungesën e transparencës së ekzekutivit.
Sipas tij, gazetarët dhe profesionistët e medias kanë kërkuar me qindra herë përgjigje dhe dokumente zyrtare për çështje me interes publik, por shpesh janë injoruar nga institucionet. Kjo i ka detyruar ata të ankohen në AIP, që është mekanizmi i vetëm kur institucionet refuzojnë të përgjigjen.

Kabashi tutje ka kritikuar qeverinë për etiketimin e gazetarëve si “UDBashë” apo “hibridë” sa herë që raportojnë mbi çështje të ndjeshme, ndërsa ka paralajmëruar se një atmosferë e tillë e presionit dhe mbylljes rrit hapësirën për keqpërdorime dhe afera korruptive.

Ai ka kujtuar se Kosova aktualisht ndodhet në vendin e 99-të në Indeksin e Lirisë së Mediave, pozicioni më i ulët në 15 vitet e fundit – një tregues serioz se liria e shprehjes dhe qasja në informacion po përkeqësohen.

“Duhet ta ndryshojmë këtë realitet. Kosova është republikë demokratike dhe parimet e demokracisë janë të shenjta”, ka përfunduar Kabashi duke kërkuar më shumë hapje institucionale dhe respektim të plotë të medias si garantuese e transparencës dhe llogaridhënies./Kosova.info/

Go to TOP