SBASHK merr pjesë në konferencën botërore mbi Inteligjencën Artificiale

Një delegacion i SBASHK-ut, i udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri dhe nënkryetarja Vjollca Shala, po merr pjesë në Konferencën Botërore mbi Inteligjencën Artificiale, e cila po zhvillohet në Bruksel.

“Konferenca, me temën qendrore “Formësimi i së ardhmes sonë: Sindikatat e arsimit udhëheqin për një inteligjencë artificiale të përqendruar te njeriu”, bashkon përfaqësues nga sindikatat e arsimit, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare për të diskutuar ndikimin e inteligjencës artificiale në arsim dhe rolin e sindikatave në këtë proces”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.

Hapjen e konferencës e bëri kryetari i Edukimit Ndërkombëtar (EI), Magwena Maluleke, ndërsa fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetari i ETUCE-s, John MacGabhann, dhe kryetarja e AFT-së, Randi Weingarten.

“Gjatë punimeve u diskutua mbi: integrimin e inteligjencës artificiale në arsimin publik; mjetet dhe politikat që garantojnë përdorim etik, të sigurt dhe të drejtë të IA-së; mbështetjen e mësimdhënësve dhe nxënësve për të zhvilluar shkathtësi kritike ndaj teknologjive të reja; rolin e sindikatave në hartimin e kornizave dhe politikave të shkrim-leximit digjital dhe të IA-së”, theksohet tutje në njoftim.

Delegacioni i SBASHK- ut takoi përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë udhëheqës të EI-së, ETUCE-së dhe AFT-së, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave mbi sfidat dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale në arsim.

SBASHK vlerëson se pjesëmarrja në këtë konferencë është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të një qasjeje moderne dhe të përqendruar te mësimdhënësi dhe nxënësi, duke mbrojtur standardet profesionale dhe të drejtat e punëtorëve të arsimit në epokën digjitale.


Go to TOP