Ambasadori Hamiti falënderon Gjysmëhënën e Kuqe të Emirateve: Mbi 30 milionë euro ndihmë humanitare për Kosovën

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Abu Dhabi me Sekretarin e Përgjithshëm të Gjysmëhënës së Kuqe të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.S. Ahmed Sari Al Mazrouei. Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit humanitar dhe vlerësimin e ndihmës së vazhdueshme që kjo organizatë me renome ndërkombëtare ka ofruar për Kosovën ndër vite.

Gjatë bisedës, ambasadori Hamiti dhe Sh.S. Al Mazrouei diskutuan mbi rolin e qenësishëm të Gjysmëhënës së Kuqe në fushën e asistencës humanitare globale. Ambasadori theksoi se organizata vepron në të gjitha kontinentet duke ofruar ndihmë pa dallime racore, etnike apo fetare, dhe se ky parim humanitar ka qenë thelbësor edhe në mbështetjen që ajo i ka dhënë Kosovës.

Në takimin e sotëm u rikujtua fakti se ndihma e ofruar deri tani për Kosovën nga Gjysmëhëna e Kuqe e Emirateve kap vlerën mbi 122 milionë dirhem – më shumë se 30 milionë euro. Kjo mbështetje, e dhënë gjatë dhe pas luftës, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në rindërtimin e jetëve të qytetarëve dhe përmirësimin e kushteve socio-ekonomike në vend.

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, ambasadori Hamiti i shprehu mirënjohjen më të thellë Sh.S. Ahmed Sari Al Mazroueit duke theksuar se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe populli i tyre kanë qenë gjithmonë pranë Kosovës në kohërat më të vështira dhe vazhdojnë të mbeten partnerë të rëndësishëm strategjikë.

Takimi u mbyll me gatishmëri të ndërsjellë për të thelluar bashkëpunimin humanitar dhe për të ndërtuar projekte të reja që do t’u shërbejnë komuniteteve më në nevojë në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP