Zekolli: Vuçiq e njeh natyrën e përbindëshit që e ka brenda vetes

Ish-diplomati nga Maqedonia e Veriut dhe analisti politik, Arsim Zekolli, thotë se Milan Radoiçiç është pasardhës i drejtpërdrejtë i ndërthurjes të parapolitikës dhe paramilitarizmit, që dominon jo vetëm arkitekturën politike, por edhe atë zyrtare-ushtarake të Serbisë, pjesërisht si mercenarë e pjesërisht si “patriotë.

“Krahasoni procesin zgjedhor në Kosovë me zgjedhjet në Serbi, Shqipëri ose në Maqedoninë e Veriut, dhe më pas mendoni cili prej këtyre vendeve mbahet nën sanksione dhe cili përkëdhelet e mbrohet”, thotë për RTK Live diplomati nga Maqedonia e Veriut Arsim Zekolli.

Deklarata e fundit e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se Aleanca prej më shumë se dy vitesh kërkon të përcaktohet përgjegjësia për sulmin terrorist në Banjskë dhe sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan në vitin 2023, dhe se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq i ka premtuar “se do të punojë për këtë”, në pamje të parë duket si një lëvizje taktike; në thelb, ajo është strategjike.

“Kërkesa e NATO-s për arrestimin dhe ndjekjen penale të Milan Radoiçiqit, si më përgjegjësi për Banjskën, është një lëvizje taktike e personalizuar; por strategjikisht qëllimi është krejt tjetër dhe më i thellë”, thotë për RTKLive ish-shefi i misionit të OSBE-së të Maqedonisë në Austri dhe Turkmenistan, ish- ambasadori Arsim Zekolli.

RTKLive: Cili është ky qëllim, ambasador Zekoli?

ZEKOLLI: 
Ju rikthej në fundin e viteve ’70 dhe fillimin e viteve ’80, dhe ju kujtoj formacionin serb paraushtarak brenda JNA, të udhëhequr nga oficerë të lartë si gjenerali Rade Hamoviq, Nikola Ljubiçiq, Petar Graçanin, të cilët më vonë do të bëhen grushti kryesor jo vetëm i ‘millosheviçizmit’ politik, por edhe motori i paramilitarizimit të serbizmit brenda JNA. Milan Radoiçiç është pasardhës i drejtpërdrejtë i kësaj ndërthurjeje të parapolitikës dhe paramilitarizmit, që dominon jo vetëm arkitekturën politike, por edhe atë zyrtare-ushtarake të Serbisë, pjesërisht si mercenarë e pjesërisht si “patriotë”. Në këtë skenar, NATO nuk mund të presë shumë nga Aleksandër Vuçiq pa pranuar fillimisht përgjegjësinë për strategjitë e veta të gabuara.

RTKLive: Çfarë përgjegjësie ka saktësisht NATO?

ZEKOLLI: Paramilitarizimi i serbizmit nën ombrellën e JNA-së në kohën e Sllobodan Milosheviçit ishte një fenomen; toleranca stabilokratike e NATO-s, SHBA-ve dhe BE-së ndaj parapolitikave dhe paramilitarëve brenda Serbisë kontribuoi që ky fenomen të përshkallëzohej. Prandaj sot është shumë e vështirë të çrrënjoset dhe të harmonizohet Serbia me pozicionin e NATO-s, i cili bazohet në struktura shtetërore dhe të sigurisë ligjore-ushtarake, të cilat duhet të eliminojnë formacionet rivale paraushtarake. Ky është sfida e Vuçiqit, i cili do të donte ta përmbushte këtë kërkesë për sigurinë e tij. Por pyetja është nëse ai ka guximin dhe mjetet për ta bërë këtë. Hijet e errëta të fatit të Zoran Gjingjiqit, pasi ish-kryeministri serb u përball me paraushtarakët, sot qëndrojnë si re e zezë mbi Vuçiqin. Krahasojeni reagimin e shpejtë të Vuçiqit ndaj kampeve ruso-serbe të lidhura me Rumaninë dhe Moldavinë, me shmangien e tij nga tema Radoiçiç.

RTKLive: Doni të thoni se presidenti i Serbisë ka frikë nga Radoiçiçi?

ZEKOLLI: 
Mediat në Beograd injoruan dukshëm deklaratat e diplomatëve amerikanë për bashkëpunëtorët shqiptarëve-kosovarëve të CIA-s dhe ‘shokët’ më të afërt të Radoiçiçit. Kjo tregon shumë qartë natyrën e përbindëshit që i regjet Vuçiqit.

RTKLive: Rutte thotë se NATO “po e ndjek me kujdes dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”. A mund të flitet më për dialog?

ZEKOLLI: Dialog i hapur dhe serioz është i mundur mes demokracive. Kur nga njëra anë keni demokracinë e Kosovës dhe nga ana tjetër autokracinë e Serbisë, atëherë është vetëm polemikë formale pa sinqeritet dhe seriozitet. Krahasoni proceset zgjedhore në Kosovë me ato në Serbi, Shqipëri ose Maqedoninë e Veriut, dhe pastaj mendoni cili vend është nën sanksione dhe cili përkëdhelet. Në këtë kuptim, deklarata e Rutte-s, ashtu si ajo e burokratëve të tjerë perëndimorë, është kontradiktore.

RTKLive: Pse është kontradiktore?

ZEKOLLI:
 Sepse nxjerr në sipërfaqe konfliktin e thellë mes parimeve të demokracisë nga njëra anë dhe politikanizimit, pra “evropianizimit”, nga ana tjetër. “Evropianizimi” është imitimi i demokracisë, të cilën mund ta formësosh dhe manipulossh sipas dëshirës. BE dhe NATO veprojnë pikërisht kështu, siç shihet te Serbia, por edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Evropeizimi është vazhdim i stabilokracisë me emër tjetër. Në vend të mbështetjes së demokratizimit dhe dialogut, diplomacia e NATO-s dhe BE-së po bëhet dogmatike, formulistike, dhe pengesë për demokratizimin e vërtetë. Kjo shihet te qasja e tyre ndryshe ndaj evropeizimit të Vuçiqit e Edi Ramës nga njëra anë, dhe demokratizimit të Albin Kurtit nga ana tjetër.

RTKLive: Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar, në çfarë mase ka ndryshuar pozita e presidentit Vuçiq – si në Serbi ashtu edhe në planin ndërkombëtar?

ZEKOLLI: “Mund t’i mashtrosh disa njerëz për ca kohë, mund t’i mashtrosh të gjithë njerëzit për ca kohë, por nuk mund t’i mashtrosh të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës”, ka thënë Abraham Linkolni. Kjo vlen për Vuçiqin. Kur bëhet fjalë për pozitën e tij në planin ndërkombëtar, ndryshimi i kursit ndaj Vuçiqit erdhi si pasojë e rolit tepër të gjatë si ‘neutral’, që në fund te fuqitë e mëdha hapi dilemën: a është presidenti i Serbisë vërtet ‘neutral’, apo është ‘pëshpëritësi’ që ju thotë atë që dëshironi të dëgjoni, ndërsa përcjell atë që i është thënë në besim. Gjatë një viti e gjysmë të fundit, Vuçiq ka kaluar nga një ‘njeri i besimit’ strategjik në pozitën e një kujdestari kolonial. Situata e Vuçiqit i ngjan shumë asaj në të cilën ndodhej ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski në fund të sundimit të tij, pavarësisht simulimit masiv të mbështetjes.

RTKLive: Ku e shihni këtë ngjashmëri?

ZEKOLLI: Në të dy rastet, ndryshimi i qëndrimit vjen si pasojë e moskuptimit të parimit bazë të politikës amerikane ndaj rajonit. Thuaj çfarë dëshiron për veten, u thonë amerikanët, e jo kundër të tjerëve, gjë që është antitezë e politikës imperialiste ruse, e cila në mënyrën më të përgjithshme përmblidhet me pyetjen – çfarë urren tek fqinji. Shembull është kontradikta e mendimit politik serb, e bazuar në politikën e sovranizmit për veten, por mohimin e sovranitetit të të tjerëve. Kjo strategji nuk është vetëm gjemb në sy të NATO-s, SHBA-së dhe BE-së, por edhe një shpatë e ‘Damokleut’ që mund të kthehet kundër atij që e lëkund në rajon. Në këtë moment, në sytë e partnerëve, Vuçiq ka uzurpuar pozitën presidenciale. Në pushtet e mban dilema e Perëndimit se si t’i kundërvihet frymës udhëheqëse të “millosheviçizmit” si konstante e mendimit politik serb. Vuçiq qartazi nuk ka as vizionin as forcën për t’iu kundërvënë kësaj fryme.

RTKLive: A ka opozita forcë për këtë?

ZEKOLLI: Opozita dhe studentët lëvizin në ekstremet ideologjike të ‘jugosllavizmit’ të Mirjana Markoviqit ose ‘serbizmit’ të Slobodan Milosheviçit, por pa kapacitet për të marrë një qëndrim radikal ndaj vetë Milosheviçit.

RTKLive: Serbia kurrë nuk ka pasur reputacion më të madh në botë, përsëriste vitet e fundit presidenti Vuçiq. A e konfirmon këtë tezë kriza me Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), ku Rusia është aksionari kryesor? Presidenti Vuçiq tani thotë se Rusia nuk dëshiron t’ia shesë Serbisë pjesën e saj në NIS, ndërsa amerikanët nuk kanë dhënë licencën e nevojshme për shitjen palës së tretë?

ZEKOLLI: Moska nuk dëshiron ta shesë pjesën e saj në NIS, dhe ndoshta edhe Pekini nuk e lejon këtë, madje edhe sikur Moska të dëshironte. Vetëkeqardhja dhe viktimizimi patetik i Vuçiqit zbulojnë fatalitetin e diplomacisë së ‘endjes’ në të gjitha drejtimet. Edhe Enver Hoxha tregoi më shumë vendosmëri në ndërprerjen e bashkëpunimit me BRSS-në, pastaj me Kinën, duke lënë Parisin si të vetmen lidhje me botën e jashtme. Dallimi është se Vuçiqi, sikurse edhe vetë Serbia, është në pozitë ‘landlock’, të varësisë nga fqinjët që janë ose ‘porte’ politike të NATO-s dhe BE-së, ose porte strategjike lumore apo detare të Adriatikut, Jonit apo Egjeut. Roli i NIS-it si financues i narrativave pro-ruse ishte toleruar me zor, derisa Serbia u rrethua nga vendet e NATO-s dhe u distancua nga anëtarësimi në BE. Pas integrimit të serbëve nga fqinjësia brenda NATO-s dhe përshpejtimit të anëtarësimit në BE, roli i NIS-it kalon nga faza e zgjerimit të ‘botës serbe’ në fazën e implozionit në kurriz të vetë Serbisë. Sanksionet ndaj NIS-it, pra, mund të konsiderohen ose si mjet presioni për t’u shkëputur nga shfrytëzimi ruso-kinez i Serbisë, ose si përpjekje për të hequr pengesat drejt anëtarësimit të përshpejtuar të Serbisë në BE.

RTKLive: Si i sheh presidenti i Serbisë, sipas jush?

ZEKOLLI: Mendoj se Vuçiq po anon ngadalë drejt opsionit të dytë. Ndryshe nga oportunizmi i opozitës dhe studentëve, të cilët, e përsëris, preferojnë ekstremizmin, e jo radikalizmin.

RTKLive: Sa do të ndikojë zgjidhja e krizës politike në stabilitetin e rajonit? A ka bazë frika se, në kuadrin e rritjes së ndikimit serbo-rus, veriu i Kosovës dhe veriu i Malit të Zi mund të jenë të rrezikuar?

ZEKOLLI: Në rajon po shohim një proces të ngjashëm me atë të periudhës post-staliniste të RSFJ-së pas rënies së Aleksandër Rankoviqit (1966) dhe Kushtetutës së vitit 1974, por në versionin e ‘entitetizimit’ të rajonit sipas modelit të ‘asosacionit të komunave serbe’ në Kosovë. Tani kjo si trashëgimi e eksperimenteve të Sorosit dhe të shkurtpamësisë perëndimore në keqpërdorimin e koncepteve qytetare apo multietnike. Në letër ato duken si ‘kooperativa hipi kaliforniane’; në realitet, asgjë më shumë se mbulesa të bukura me lule mbi politika nacional-socialiste. Zgjerimi i ‘entitetizimit’ nuk ka lindur nga vakumi, por është produkt i marrëdhënies hipokrite të Brukselit, Uashingtonit dhe Berlinit ndaj rajonit, ku, sipas masës së stabilokratëve, oligarkive dhe klaneve, janë pranuar interpretimet ‘etnike’ dhe formulat e ‘multietnicitetit dhe multikulturalizmit’. Prandaj, sado që nuk i pëlqen shumicës, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk janë “multietnike” dhe nuk mund të jenë të tilla.

RTKLive: Pse?

ZEKOLLI: Pikërisht sepse Perëndimi kërkon multietnicitet nga të gjithë, ndërkohë që pranon, madje legjitimon, ‘botën serbe’. Me pak fjalë, dëshira e BE-së, SHBA-së dhe NATO-s për të arritur paqe të lirë dhe stabilitet i ka bërë ata sponsorët kryesorë të zgjerimit të ‘botës serbe’, të gjitha nën petkun e ‘multietnicitetit’. Mendoj se ka ardhur koha që BE, NATO, Uashingtoni, veçanërisht Berlini e Parisi, të pranojnë dhe të këmbëngulin në zbatimin rajonal të modelit të ashtuquajtur të Platformës së Tiranës, me të cilën Tirana arriti që përmes partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut të demonstrojë në praktikë heqjen dorë nga aspiratat e mëdha shtetërore. Çështje tjetër është që partnerët perëndimorë nuk kanë ofruar barazinë reale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por sërish u përcaktuan për një cikël të ri ‘multietniciteti’: pas dështimit të versionit të majtë të LSDM-së, tani në versionin e djathtë të VMRO-së, që është shembulli tipik i nacional-socializmit nën petkun e ‘multikulturalizmit’. A janë SHBA, NATO, BE, Berlini dhe Parisi të gatshëm të kërkojnë të njëjtin model të ‘platformave beogradase’ edhe nga Beogradi në raport me partitë ose komunitetet serbe në rajon?

RTKLive: Janë?

ZEKOLI: Dyshoj. Pikërisht për shkak të këtyre standardeve të dyfishta ndaj Serbisë, çështja e entitetizimit mbi baza etnike do të marrë hov si një nënprodukt i ekskluzivitetit diskriminues të Serbisë si katalizator i mekanizmave mbrojtës etnikë të fqinjëve të saj.

Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon temat nga rajoni.


Go to TOP