Shehu nderon Shaban Isufajn me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm ndaj Junikut
Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Shaban Isufajt, kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka nderuar sot figurën e tij të çmuar duke i dorëzuar familjes një mirënjohje të veçantë për kontributin e pazëvendësueshëm që ai ka dhënë për komunën dhe shoqërinë junikase.
Gjatë ceremonisë, kryetari Shehu vlerësoi lart Shaban Isufajn si shembull të një aktivisti të përkushtuar, i cili me punë, përkushtim dhe humanizëm ka lënë gjurmë të pashlyeshme si para luftës, ashtu edhe pas saj. Ai theksoi se Shabani ishte njeri i vlerave të larta njerëzore e shoqërore, që punoi gjithmonë me zemër për të mirën e qytetarëve.
“Kontributi i tij është trashëgimi e çmuar, për të cilën do të ndihemi gjithmonë krenarë,” u shpreh Shehu duke shtuar se kujtimi dhe vepra e Shaban Isufajt do të mbeten gjithmonë pjesë e identitetit dhe historisë së Junikut.
Familja e të ndjerit shprehu mirënjohje për vlerësimin, ndërsa të pranishmit e nderuan Shaban Isufajn për jetën, veprën dhe emrin që la pas.
Ceremonia u mbyll me nderime dhe reflektim për figurën e tij të paharrueshme. /Kosova.info/
