Zogaj: Retorika kundër Listës Serbe i shërben vetëm Serbisë dhe stabilitetit të përhershëm të Kosovës e rrezikon

Analisti politik Petrit Zogaj ka reaguar lidhur me qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Listës Serbe duke e cilësuar atë si një strategji që në fund përfiton vetëm Serbia, ndërsa e dëmton pozitën e Kosovës dhe stabilitetin e brendshëm.

Sipas Zogajt, është interes strategjik i Serbisë që retorika politike në Kosovë të fokusohet kundër Listës Serbe, e jo kundër politikave të Beogradit. Ai thotë se qeveria e Albin Kurtit po e portretizon këtë subjekt politik si problem për Kosovën, në vend se ta adresojë Serbinë si burimin e vërtetë të ndikimit destabilizues.

“Duke e luftuar një parti minoritare, Serbia e ka shumë më të lehtë ta ndërtojë narrativën se Kosova po i cenon të drejtat e pakicës serbe,” u shpreh Zogaj duke paralajmëruar se ky qasje i jep Serbisë argumente shtesë në arenën ndërkombëtare.

Ai shtoi se kjo strategji, e cila sipas tij po shtyn serbët lokalë të mos e konsiderojnë Kosovën si shtetin e tyre, krijon rrethana që garantojnë destabilitet të vazhdueshëm, deri në një marrëveshje të re administrative apo sistemike.

Zogaj e lidhi këtë qasje të pushtetit me interesat politike të kryeministrit Kurti duke thënë se i shërben vetëm vazhdimit të qëndrimit të tij në pushtet, pa llogaridhënie për qeverisjen apo për një bllokadë politike që, sipas tij, ka zgjatur një vit.

Ai kritikoi edhe opozitën duke thënë se ajo tashmë është futur brenda logjikës së fushatës së Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket çështjes së Listës Serbe, gjë që sipas tij e bën pothuajse të pamundur që ta kundërshtojë këtë narrativë, e aq më pak të përfitojë politikisht gjatë fushatës parazgjedhore.

Zogaj theksoi se derisa debati të mos kthehet te Serbisë dhe ndikimi i saj i drejtpërdrejtë, Kosova do të vazhdojë të vuajë pasoja të qasjeve të gabuara që, sipas tij, krijojnë tensione të panevojshme dhe rreziqe afatgjata për stabilitetin e vendit. /Kosova.info/

Go to TOP