Ferizaj: Dënohet me një vit burgim i pandehuri që iu shmang pagesës së alimentacionit

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.V., për shkak të veprës penale shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetës nga neni 245 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, i kryesuar nga gjyqtari i vetëm gjykues Shabi Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin F.V., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi për veprën penale shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetës nga neni 245 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I pandehuri F.V., akuzohet se nga data 3 tetor 2024 deri më tani, me qëllim i`u është shmangur sigurimit të mjeteve të jetesës për dy fëmijët të tij të mitur, për të cilët është i obliguar të kujdeset në bazë të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të datës 22 qershor 2023, me të cilin është detyruar që të ju paguaj të dëmtuarve – fëmijëve të tij mjetet për jetesë për çdo muaj dhe atë në shumën prej shtatëqind (700.00) Euro për të cilën është detyruar që t`i paguaj të dëmtuarës – ish bashkëshortes së tij A.G.V., deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore ku i pandehuri iu ka shmangur detyrimeve duke mos paguar shumën e përcaktuar të pagesës së alimentacionit të fëmijëve të përbashkët.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt. /Kosova.info/


Go to TOP