Rama: Fillon alokimi i 25 milionë eurove për Kryeqytetin, nisin menjëherë pagesat për qytetarët dhe punëtorët
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Ministria e Financave ka filluar alokimin e pjesshëm të mjeteve financiare prej 25 milionë euro, të bartura nga viti 2024, për Kryeqytetin. Ky proces, i shumëpritur si nga qytetarët ashtu edhe nga punëtorët e komunës, po zhvillohet me intensitet të shtuar.
Sipas Ramës, Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën jashtë orarit të rregullt gjatë ditës së sotme, me qëllim që pagesat të procesohen sa më shpejt dhe në mënyrë të rregullt. Ai theksoi se me ritmin aktual të alokimeve nga Ministria, Komuna do të vazhdojë pa ndërprerje me kryerjen e pagesave të parashikuara.
“Presim që sa më shpejt të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria,” deklaroi Rama duke falënderuar qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. /Kosova.info/
