Dreshaj dhe ambasadori malazez diskutojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Malit të Zi
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, priti sot në takim Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, z. Cobaj, në një takim pune të zhvilluar në një atmosferë konstruktive. Qëllimi kryesor i diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe hapja e mundësive të reja për zhvillim të përbashkët.
Gjatë takimit, palët trajtuan mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare, lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe investimeve, si dhe eliminimin e barrierave administrative që aktualisht paraqesin pengesë për bizneset. U theksua rëndësia e krijimit të mekanizmave të reja të komunikimit ndërmjet komunitetit të biznesit dhe institucioneve ekonomike në Kosovë dhe Mal të Zi, me synim fuqizimin e partneritetit rajonal.
Dreshaj dhe ambasadori Cobaj shprehën vullnet të përbashkët për avancimin e agjendës ekonomike dhe nxitjen e projekteve konkrete të bashkëpunimit, të cilat do të krijojnë mundësi të reja për sipërmarrësit dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të të dy ekonomive. /Kosova.info/
