Vritet biznesmeni i njohur në Shqipëri
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Elbasanit mbrëmjen e sotme, ku raportohet se janë dëgjuar të shtëna me armë, ndërsa mësohet se një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Sipas informacioneve të para, në brendësi të një automjeti është konstatuar një person i plagosur që më pas ka ndërruar jetë. Ai është identifikuar si Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla, 43 vjeç, i cili njihej si pronar i 2 bizneseve, ajo e taksive elektrike dhe të një karburanti.
Makina e viktimës është gjetur e parkuar në afërsi të një pike karburanti. Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë të mbrëmjes së sotme, ndërsa policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke izoluar zonën dhe duke nisur hetimet për kapjen e autorit apo autorëve, transmeton RTSH.
Për këtë rast ka njoftuar edhe policia shqiptare.
“Rreth orës 20:35, është marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda në një automjet të parkuar, është gjetur, i vrarë me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H., 43 vjeç. Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit, dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimi e policisë.
