Rama: ICMG miraton propozimin-Prishtina drejt Lojërave Mesdhetare 2030

Në Asamblenë e Jashtëzakonshme të ICMG, sot është miratuar prezantimi i propozimit dhe vazhdimi i përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 – një zhvillim i rëndësishëm për Kryeqytetin dhe mbarë Kosovën.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë vendim si një hap madhor drejt realizimit të një projekti historik, i cili do ta transformojë kryeqytetin me vizion të qartë, plan të strukturuar dhe me energjinë e një gjenerate që beson në ndryshim.

Sipas Ramës, Lojërat Mesdhetare nuk përfaqësojnë vetëm garë sportive, por edhe zhvillim urban, infrastrukturë moderne, mundësi të reja për të rinjtë dhe një mundësi të madhe për ta prezantuar Prishtinën në arenën ndërkombëtare. Ai ka falënderuar Komitetin Olimpik të Kosovës, Administratën e Kryeqytetit dhe Qeverinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm në këtë proces.

Rama ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për Qeverinë e Shqipërisë dhe Komitetin Olimpik të Shqipërisë, të cilët kanë mundësuar qasjen në det – një element kyç që e forcon dimensionin mesdhetar të Lojërave dhe pasuron bashkëpunimin ndërshqiptar.

“Kjo është vetëm fillimi. Rruga është e gjatë, por së bashku mund të bëjmë më shumë dhe më mirë,” ka deklaruar kryetari Rama duke theksuar se puna e madhe sapo ka nisur dhe do të vazhdojë me intensitet të plotë. /Kosova.info/


Go to TOP