Hadergjonaj nga Kosharja: Amaneti i dëshmorëve na udhëheq – Gëzuar 28 Nëntorin!

Gjeneral Fadil Hadergjonaj Bjeshka, një nga komandantët e betejës legjendare të Koshares dhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka uruar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë – nga vetë vendi ku u shkrua një nga faqet më të lavdishme të historisë shqiptare.

Duke qëndruar në tokën e shenjtë ku gjaku i dëshmorëve u bë themel i lirisë, Hadergjonaj ka përkujtuar sakrificën e brezave që luftuan për atdheun dhe ka theksuar se Kosharja mbetet simbol i pathyeshmërisë dhe unitetit kombëtar.

“Sa herë që dikush ka dilema për drejtimin kah duhet të ecim, mjafton të përkulemi para heronjve dhe dëshmorëve, sepse amaneti i tyre na udhëheq,” deklaroi ai duke shtuar se nderimi ndaj të rënëve është udhërrëfyes për çdo vendim dhe përkushtim ndaj kombit.

Gjenerali ka shprehur urimet e tij të përzemërta për të gjithë shqiptarët kudo që janë duke theksuar rëndësinë historike dhe emocionale të 28 Nëntorit për mbarë kombin.

“Lavdi të rënëve ndër breza. Rroftë kombi shqiptar dhe flamuri ynë kombëtar!”, përfundoi Hadergjonaj mes simboleve të fitores së Koshares dhe kujtimit për më të merituarit e lirisë. /Kosova.info/

Go to TOP