Kuka lavdëron vitin e artë të Krasniqit: medalje në çdo garë të 2025-s
Në ditën e shenjtë të 28 Nëntorit, kampionia olimpike dhe krenaria e xhudos kosovare, Distria Krasniqi, ka shtuar edhe një medalje të artë në listën e sukseseve të saj të jashtëzakonshme, këtë herë në Grand Slam Abu Dhabi 2025.
Trajneri i saj, Driton Kuka, e ka përshkruar 2025-ën si një vit të artë për Disin duke veçuar që në çdo garë ku ka marrë pjesë, ajo ka dalë me medalje – nga Grand Slami i Parisit deri tek triumfi i sotëm në Abu Dabi. Ky vit ka qenë i mbushur me kulme të mëdha:
Medalja e artë në Kampionatin Evropian,
Medalja e argjendtë në Kampionatin Botëror në Budapest,
Si dhe varg medaljesh të fituara në garat më prestigjioze botërore.
Me këtë ritëm dhe stabilitet të jashtëzakonshëm, Kuka thotë se Disi po ecën e sigurt drejt Lojërave Olimpike LA 2028 duke forcuar pozitën e saj si një prej dhjetë më të mirave në botë në kategorinë e saj.
Në postimin e tij, trajneri kujton se këto suksese janë fitore jo vetëm për Disin dhe ekipin, por për Federatën e Xhudos së Kosovës, shtetin e Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar.
“Nga sporti me pesë kupa olimpike, Distria vazhdon të shkëlqejë duke e bërë 28 Nëntorin edhe më domethënës për të gjithë shqiptarët.
Ndërkohë, nesër në Abu Dhabi garon Laura, ndërsa pasnesër Shpati, dhe ekipi u uron fat në vazhdimin e garave.
Një tjetër ditë e madhe për sportin shqiptar dhe një tjetër dëshmi se xhudoja mbetet simbol i krenarisë kombëtare”, ka shkruar Kuka. /Kosova.info/
