Jashari: Serbia po riciklon konkurset e punësimit për të ndikuar zgjedhjet e 28 dhjetorit

Avokati Arbër Jashari ka ngritur shqetësime serioze për ndërhyrjen e vazhdueshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, përmes asaj që ai e cilëson si përdorim politik të institucioneve paralele dhe vendeve të punës në sektorin e shëndetësisë.

Jashari kujtoi deklaratat e para dy muajve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili pati paralajmëruar hapjen e 400 vendeve të reja të punës në sistemin paralel të kujdesit shëndetësor në Kosovë—një veprim që, sipas tij, me të drejtë u interpretua si përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet lokale të tetorit në favor të Listës Serbe.

Sipas avokatit, kjo strategji po vazhdon edhe tani, teksa institucionet paralele të Serbisë në Kosovë kanë njoftuar shtyrjen e përzgjedhjes së kandidatëve nga konkursi i tetorit 2025 për punësim në të ashtuquajturin Institutin e Shëndetit Publik në Mitrovicë, deri në janar 2026.

Arsyetimi i dhënë nga këto struktura është “numri i madh i aplikimeve”, por Jashari thotë se qëllimi është i qartë: “Kjo është një mënyrë tjetër për t’i mbajtur njerëzit e varur dhe të kushtëzuar, këtë herë për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit.”

Ai paralajmëroi se ndërhyrje të tilla minojnë parimet kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, të cilat garantojnë zgjedhje të lira dhe demokratike. “Këto parime bien në ujë kur komuniteti serb nuk ka mundësinë të zgjedhë lirshëm, pa presione dhe pa dirigjim politik nga Beogradi,” tha Jashari. /Kosova.info/


Go to TOP