Hamann: Slot duhet t’i luajë bashkë Isak dhe Ekitike

Ish-mesfushori i Liverpoolit, Dietmar Hamann, ka folur hapur për trajnerin Arne Slot dhe zgjedhjet e tij para ndeshjes së rëndësishme të Champions League kundër PSV Eindhoven.

Liverpool ka shpenzuar mbi 190 milionë funte këtë verë vetëm për sulmin, duke transferuar Alexander Isaku nga Newcastle për plot 125 milionë funte, dhe Hugo Ekitike nga Frankfurt për gjashtëdhjetë e nëntë milionë. Megjithatë, të dy lojtarët janë aktivizuar me rrotacion dhe pothuajse asnjëherë bashkë në fushë.

Hamann ka thënë se Slot duhet urgjentisht të gjejë mënyrë për t’i përdorur dy sulmuesit njëkohësisht.

“Arne Slot duhet të bëjë diçka. Nuk mund të vazhdosh të luash me të njëjtët lojtarë dhe të presësh rezultate të ndryshme,” është shprehur Hamann. “Kur ke investuar mbi 100 milionë për një sulmues, ai nuk mund të rrijë në stol. Slot duhet të ndalojë së menduari për emrat dhe të zgjedhë formacionin që i jep skuadrës më shumë gjasa të fitojë”.

Humbja 3:0 ndaj Nottingham Forest të shtunën ka shuar pothuajse çdo shpresë për titull, ndërsa Liverpool ka rënë në pozitën e dymbëdhjetë, plot njëmbëdhjetë pikë larg Arsenal që është kryesues.


Go to TOP