Rullani për Kosova.info: Bllokimi i buxheteve po godet qytetarët, jo politikën
Tensionet për bllokimin e buxheteve në disa komuna kanë hapur një debat të gjerë mbi rolin e qeverisë dhe administratës lokale në prag të zgjedhjeve të dhjetorit, raporton Kosova.info.
Në një bisedë për Kosova.info, analisti Rullani ka komentuar situatën dhe zhvillimet që po ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët.
Në pyetjen “Komenti juaj mbi bllokimin e buxheteve në disa komuna?”, Rullani tha:
“Qeveria në detyrë e ka përgjegjësinë kryesore për vonesat në disa komuna. Kemi mungesë koordinimi dhe hapa administrativë që nuk janë përgatitur me kohë, por pasojat po i bartin qytetarët. Në disa shkolla nuk janë siguruar pajisje bazike për vitin e ri, projektet lokale janë ndalur dhe shumë komuna po funksionojnë nën presion. Kjo nuk do të duhej të shndërrohej në instrument politik.”
Rullani vëren se raporti mes qeverisë dhe komunave është i tensionuar kryesisht për arsye politike. Ai thotë se problemet administrative ekzistojnë, por përplasjet politike i kanë thelluar edhe më shumë, duke e bërë çdo vendim pjesë të fushatës. Ai beson se me komunikim normal mes Ministrisë së Financave dhe komunave, bllokadat do të ishin shmangur lehtësisht.
I pyetur “Si e shihni raportin Qeveri – Komuna?”, ai u përgjigj:
“Tensioni është kryesisht politik, sidomos tani para zgjedhjeve. Ka edhe probleme administrative, por pjesa më e madhe po krijohet nga përplasjet politike. Me një komunikim normal mes Ministrisë së Financave dhe komunave, situata do të mund të zgjidhej shumë më lehtë. Sot, pothuaj çdo vendim po përdoret si pjesë e fushatës.”
Duke folur për zgjedhjet e dhjetorit, ai paralajmëron se rezultati do të ndikojë direkt në balancat mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Sipas tij, komunat ku gara është e ngushtë do ta reflektojnë këtë edhe në bashkëpunimin pas zgjedhjeve. Ai nuk përjashton një fazë të re politike, por nënvizon se stabiliteti nuk vjen automatikisht pa gatishmëri për bashkëpunim.
Lidhur me pritjet “Çka pritet nga zgjedhjet e dhjetorit?”, Rullani vlerësoi:
“Zgjedhjet do të ndikojnë drejtpërdrejt në balancat mes qeverisë qendrore dhe komunave. Në komunat ku gara është e ngushtë, rezultati do të reflektohet edhe në mënyrën e bashkëpunimit pas zgjedhjeve. Dhjetori mund ta hapë një fazë tjetër politike, por kjo nuk nënkupton automatikisht stabilitet. Varet sa janë të gatshme subjektet të punojnë bashkë.”
Për çështjen “A do të ketë vështirësi në formimin e qeverisë?”, ai tha:
“Do të jetë sfiduese, por pres që këtë herë partitë të lënë më shumë hapësirë për kompromis. Situata ekonomike dhe presioni i qytetarëve nuk e tolerojnë një bllokadë të re. Nëse formimi i qeverisë zgjatet, vendi rrezikon të kthehet në të njëjtën spiralë që e kemi parë më herët.”
Rullani flet edhe për rrezikun e stagnimit pas zgjedhjeve. Ai thotë se konfliktet politike mund të mbajnë pezull projekte publike dhe të frenojnë investimet e huaja, ndërsa disa projekte komunale tashmë kanë mbetur të ngrira për shkak të pasigurisë buxhetore. Sipas tij, kjo i godet qytetarët direkt dhe nuk zgjidhet me thjesht me mbajtjen e zgjedhjeve.
Në pyetjen “A ekziston rreziku i stagnimit pas zgjedhjeve?”, Rullani paralajmëroi:
“Po, rreziku është real. Nëse konfliktet politike vazhdojnë, projektet publike mbeten pezull dhe investimet e huaja nuk marrin vendime të qarta. Edhe tani kemi disa projekte komunale të ngrira për shkak të pasigurisë buxhetore. Kjo e godet drejtpërdrejt qytetarin dhe këto pasoja nuk zhduken vetëm me një datë zgjedhjesh.”
Dhe në fund, kur u pyet “Cili është roli i opozitës në këtë situatë?”, ai u shpreh:
“Opozita ka përgjegjësi të dalë me alternativa dhe të hyjë në dialog real. Ka raste kur ka qenë konstruktive, por shpesh ka pasur edhe kritika pa zgjidhje. Vendi nuk ka nevojë për tension shtesë. Ka nevojë për propozime konkrete, sepse vetëm kundërshtimi pa plan nuk sjell rezultat.”
Sipas Rullanit, rrugëdalja varet nga aftësia e palëve për të rikthyer komunikimin dhe për të shmangur përplasjet që po rëndojnë mbi qytetarët./Kosova.info/
