Strategji e zgjuar apo rritje artificiale e LDK-së?
Shkruan: Shenoll MUHARrEMI
Po e shohim këto ditë një fenomen të ri ku LDK po duket se ka ndryshuar lojën dhe qëndrimin sa i përket bashkëpunimeve dhe është hapur më shumë se zakonisht për partneritete. Ata këto ditë kanë dhënë indikacione se po konsiderojnë partneritete me grupacione të ndryshme politike.
Cili është efekti? Të themi nëse LDK ka pasur një bazë prej 171k votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, ata po synojnë përmes koalicioneve dhe bashkëpunimeve me partitë e grupet tjera me e rritë peshën elektorale dhe me vazhdu trendin e rritjes në nivel nacional.
Çka mundet me ndodhë eventualisht?
Nëse LDK ka pasur rreth 171k vota në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, ata duket se tani po shohin të integrojnë sa më shumë grupacionet tjera në listën e tyre, sidomos ato që mund të kenë vështirë të garojnë vetëm, por edhe tjerët.
Ajo që është në dispozicion aktualisht për LDK përfshin kryesisht parti dhe grupe si Nisma dhe Koalicioni për Familjen. Por nëse Nisma është aty, pse mos me qenë AAK, shtrohet pyetja? Kështu që, LDK mundet me e zgjeru bashkëpunimin eventualisht me AAK, Nisma dhe Koalicionin për Familje. Në këtë aspekt, LDK ka pasur 171k vota, AAK-Nisma 66k dhe Koalicioni për Familje 20k.
Me këto kombinime, LDK mundet me shku deri/rreth 250,000 vota eventualisht në zgjedhjet e 28 dhjetorit nëse vazhdon me apliku këtë trend. Saktësisht ky grupacion (LDK, AAK-Nisma, KpF) ka fituar 257,636 vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, edhe po e shohim vetëm teknikisht për shkak se kjo nuk përkthehet automatikisht në sa mundet me i fitu me 28 dhjetor.
Cili është ndikimi i një skenari të tillë? LDK me këtë qasje arrin të dalë si partia e dytë (në fakt me koalicion) me rreth 250k vota dhe të i afrohet LVV edhe më shumë. Fitorja më e madhe e LDK-së do të jetë që “ka pasur rritje, rritja vazhdon” dhe “tani jemi në vendin e dytë”.
Në aspektin praktik, kjo fitore është e dobishme për menaxhmentin e LDK-së sepse do i shuaj zërat kritikë për lidershipin. Do të krijojë një përshtypje që LDK po rritet e mund të kthehet në vendin e parë, edhe pse teknikisht kjo është artificiale dhe jo e qëndrueshme, sepse LDK po “rritet” me trupa të huaj që nuk janë të sajat, përveç nëse i “asimilon” në të ardhmen, e kjo për shumicën absolute nuk është e mundshme.
Kjo do të përmirësonte pozicionin negociues të LDK-së për bashkëpunime të ardhshme për qeveri dhe presidencë, por në anën tjetër, do të sillte telashe për menaxhim të partnerëve në rast se LDK e drejton qeverinë e ardhshme. Aty do të shohim ministra nga AAK, nga Nisma e nga KpF… e më pak vend për pjesëtarët “elitarë” dhe kompetent të LDK-së.
Kjo lëvizje, edhe pse pompoze në rezultat përkohësisht, nuk duket se do të ketë ndikime tjera të mëdha. LDK do të ishte në gjendje me negociu me LVV dhe PDK edhe pa këtë rritje. I vetmi dallim është që tani mund të ketë më shumë argumente në raste se pozita e kryeministrit i shkon LDK ose PDK në një kompromis dhe kombinacion nga disa ku LVV e ka postin e presidentit.
LDK në këtë skenar mund të thotë që pozita e kryeministrit është e jona sepse kemi më shumë vota se PDK, por këtë do të arrinte ta bëjë me LVV edhe pa i bërë këto zgjerime, që për disa pjesëtarë dhe votues të LDK-së mund të duken të pazakonta. Gjithashtu ka shumë raste ku partia e tretë shkon me të parën, e jo e dyta me të parën.
Dhe kryesia e LDK-së gjithmonë do të përdorë bashkëpunimin e Rugovës me AAK në të kaluarën për të justifikuar tek elektorati i saj atë që mund të ndodhë ditët e javët e ardhshme në këtë skenar.
Sikurse ky zgjerim të shkonte edhe një hap më larg, kjo do të nënkuptonte krijimin e një blloku ish opozitar i cili përfshinë edhe PDK dhe me shumë siguri do i fitonte zgjedhjet. Kjo do të ishte ‘game changer’.
Shtrohet pyetja, nëse LDK është e hapur për bashkëpunime me Komandant Çeliku dhe Haradinaj, pse nuk është me Bedri Hamzën ku mundet me fitu vendin e parë? Me këtë përfshije strategjike, ky grupacion do shkonte tek një potencial prej 250k në 450k vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në këtë aspekt, LDK është mangu një hap thelbësor me arritë efektin maksimal nga patneritetet.
Ky fenomen i partneriteteve më pak të zakonshme po vjen pas një bllokade dhe paralize të gjatë të institucioneve kryesore dhe ku tema kryesore nuk janë më politikat zhvillimore, por normaliteti, stabiliteti dhe evitimi i skenarëve të vazhdimit të bllokadës dhe ekstremeve tjera të errëta që mund të sfidojnë sigurinë kombëtare dhe atë që është ndërtuar gjatë 25 viteve të fundit.
