Abdixhiku: Prishtina foli qartë, më 28 dhjetor do të flasë sërish e para
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një deklaratë të fortë politike duke e akuzuar pushtetin aktual se e ka mbajtur Prishtinën të bllokuar për një vit të tërë, ndërsa ka theksuar se kryeqyteti tashmë ka dhënë mesazhin e parë dhe më 28 dhjetor do të flasë edhe më fuqishëm.
“Prishtinën e bllokuan. Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg,” theksoi Abdixhiku duke shtuar se ky mesazh nuk është kuptuar nga kundërshtarët politikë.
Ai akuzoi pushtetin se për 12 muaj “si nën pushtim” e ka mbajtur Kryeqytetin pa buxhet duke detyruar Komunën të investojë energji dhe mund për ta mirëmbajtur qytetin, ndërkohë që – sipas tij – qeverisja në nivel qendror ka shpërndarë “vitra për votë, pa ligj e pa legjitimitet”.
“Prishtinë, Kryeqytetin e vendit të vet, në llumin e madh të burokracisë vazhduan ta mbajnë për plot një vjet,” u shpreh ai duke e cilësuar qeverisjen aktuale “sekt popullist që ka mision shkatërrimin e vendit”.
Abdixhiku tha se koha e tyre po mbaron dhe bëri thirrje për bashkim të qytetarëve para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Le të bashkohemi të gjithë. Prishtina do të flasë sërish; e para,” përfundoi ai. /Kosova.info/
