Kosova do të përballet me Poloninë, Uellsin, Çekinë ose Sllovakinë
Kosova do ta ketë mundësinë të luftojë për kualifikim në Botërorin 2026 përmes “play off”, ku do të përballet me një nga katër kombëtaret: Poloni, Uells, Çeki ose Sllovaki.
Këto katër ekipe ndodhen në vazon e dytë për shortin e së enjtes, ndërsa Kosova është në vazon e tretë së bashku me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Irlandën.
Gjysmëfinalet e barazhit janë planifikuar më 26 mars, dhe Kosova do të luajë si mysafire në këtë rund. Në gjysmëfinale do të takohen gjithashtu përfaqësueset e vazos së parë me ato të vazos së katërt.
Në vazon e parë janë Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina, ndërsa në vazon e katërt janë Suedia, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut.
Finalet e “play off” do të zhvillohen më 31 mars, ku fituesit e gjysmëfinaleve nga vazot dy dhe tre do të takohen me fituesit nga vazot një dhe katër.
Nikoqirët e finaleve do të përcaktohen me short, duke e bërë shortin e së enjtes vendimtar për rrugëtimin e Kosovës drejt Botërorit.

