Murati akuzon LDK-në: Rivalitetet e brendshme po e mbajnë peng buxhetin e Prishtinës
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për mosmbështetjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025 duke e cilësuar këtë vendim si pasojë të rivaliteteve të brendshme brenda partisë.
Sipas Muratit, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka një zgjidhje të thjeshtë për buxhetin e kryeqytetit: “Le t’i kërkojë Lumir Abdixhikut që ta votojnë në Kuvend, dhe buxheti i Prishtinës bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit 2025. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh ai.
Ai shtoi se tensionet e fundit brenda LDK-së, sidomos zërat që kërkojnë dorëheqjen e Lumir Abdixhikut dhe zëvendësimin e tij me Përparim Ramën, tashmë po japin efektet e para në veprimet e grupit parlamentar. Për Muratin, vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet “qëndrimi kategorik” i LDK-së për të mos e votuar buxhetin e Prishtinës, në një kohë kur komuna ka grumbulluar miliona euro fatura të papaguara dhe ndodhet më pak se një muaj para mbylljes së vitit fiskal.
“Shumë keq që për shkak të rivalitetit të brendshëm në LDK, po e pësojnë qytetarët e Prishtinës”, përfundoi Murati. /Kosova.info/
