Irlanda përmbys Hungarinë dhe siguron `play-off`
Republika e Irlandës ka arritur një fitore dramatike 3:2 ndaj Hungarisë në Budapest, duke siguruar një vend në “play-off” dhe duke ia shuar shpresat vendasve për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Heroi i ndeshjes ka qenë Troy Parrott, i cili ka realizuar “hat-trick” dhe golin vendimtar në kohën shtesë.
Hungaria e ka filluar ndeshjen më mirë dhe ka kaluar në epërsi që në minutën e katërt me golin e Lukacs.
Irlanda e ka barazuar rezultatin nga penalltia me Parrott, por pak para pushimit, Varga e ka rikthyer epërsinë e hungarezëve.
Irlanda ka rrezikuar ta humbte yllin Ogbene për shkak të lëndimit, por loja është gjallëruar me futjen e Idah dhe presionin e vazhdueshëm të mysafirëve. Në minutën e shtatëdhjetë e dytë, Parrott e ka barazuar me një tjetër realizim.
Kur dukej se ndeshja do të përfundonte në barazim, Parrott ka shënuar sërish në çastet e fundit, duke e bërë rezultatin e kësaj ndeshje një nga përmbysjet më dramatike të kualifikimeve.
