Polemikë për pishinën gjysmë-olimpike në Podujevë: Rama akuzon Qeverinë për devijim nga kriteret e Lojërave Mesdhetare 2030

Rama: Projekti prej 4 milionë eurosh nuk i shërben Lojërave Mesdhetare – Çeku: Po e realizojmë me vendosmëri planin investiv për sportin në Kosovë

Rama: Pishina gjysmë-olimpike nuk i plotëson kriteret për Lojërat Mesdhetare

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ministrit në detyrë të Kulturës dhe Sportit, Hajrullah Çeku, lidhur me ndërtimin e pishinës gjysmë-olimpike në Podujevë. Sipas Ramës, kjo pishinë nuk është e paraparë në librin e kandidaturës për Lojërat Mesdhetare 2030 dhe nuk i përmbush kriteret teknike për sportet obligative si noti, waterpolo apo fin swimming.

Rama thekson se për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Prishtina ka nevojë për të paktën 2–3 pishina olimpike 50-metërshe me pishina ndihmëse, të cilat janë të planifikuara në Parkun Olimpik në Bernicë – projekt, sipas tij, i injoruar nga Qeveria.

Ai shton se pishina në Podujevë, një investim prej 4 milionë eurosh, nuk lidhet me Lojërat Mesdhetare dhe përbën devijim nga dokumentet zyrtare të kandidaturës. Rama apelon publikisht që ministri Çeku dhe ekipi organizativ të ulen së bashku për të shtyrë përpara projektet sipas standardeve profesionale duke shmangur vendimet ad-hoc.

Hajrullah Çeku: Po e realizojmë me vendosmëri planin investiv të Lojërave Mesdhetare 2030

Ministri në detyrë i Kulturës dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka njoftuar se punimet për pishinën gjysmë-olimpike në Podujevë po ecin sipas planit. Sipas tij, ky investim prej 4 milionë eurosh do të sjellë infrastrukturë moderne për notin, të përshtatshme si për stërvitje të rregullta, ashtu edhe për gara profesionale.

Çeku thekson se projekti është pjesë e vizionit të Qeverisë për ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme dhe cilësore për sportin në Kosovë duke garantuar kushte më të mira për sportistët dhe komunitetin lokal.


Go to TOP