Çitaku kritikon ashpër Rozeta Hajdarin: Nuk të ndjek askush politikisht – aktakuza është për milionat e abuzuara

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar fuqishëm ndaj deklaratës së ish-ministres Rozeta Hajdari, e cila ditëve të fundit ka thënë se po “ndihet e ndjekur politikisht” pas aktakuzës së ngritur kundër saj.

Çitaku e ka quajtur “skandaloze” paraqitjen e Hajdarit duke theksuar se procesi ndaj saj nuk ka asnjë lidhje me ndjekje politike, por me abuzim me detyrën sa ishte ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas Çitakut, aktakuza e Hajdarit lidhet me “milionat e abuzuara të rezervave shtetërore”, ndërsa ka shtuar se ish-ministrja nuk ka pasur kurrë peshë apo kontribut politik, përveç, siç tha ajo, “instrumentalizimit nga Albin Kurti”.

“Aktakuza që e ke mbi supe është për keqpërdorim të detyrës. Nuk të ndjek askush politikisht, sepse në politikë nuk ke lënë asnjë gjurmë. Ajo që ke bërë është abuzimi me detyrën dhe zbatimi i urdhrave të një njeriu,” shkroi Çitaku.

Ajo kritikoi gjithashtu deklaratat e Hajdarit kundër Prokurorisë dhe përmendjen e AKI-së duke theksuar se këto sulme përbëjnë përpjekje për të devijuar vëmendjen nga përgjegjësia ligjore.

“Askush nuk është mbi ligjin, Rozetë. As ata që kanë abuzuar, as ata që i kanë urdhëruar,” përfundoi Çitaku.

Ky reagim vjen në mes të debatit të gjerë publik që ka shoqëruar aktakuzën ndaj Hajdarit dhe akuzat për keqmenaxhim të rezervave shtetërore gjatë mandatit të saj si ministre. /Kosova.info/

Go to TOP