KQZ i çon përgjigje PZAP-it për ankesën e PDK-së për Mitrovicën e Jugut

Të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje zyrtare Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me ankesën e parashtruar në këtë institucion nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ishte në garën e balotazhit në zgjedhjet për kryetarin e komunës së Mitrovicës së Jugut.

Kjo parti ka kërkuar nga PZAP që të urdhërojë KQZ-në për tu rivotuar në këtë komunë, për shkak të dyshimeve, sipas tyre, për parregullsi me fletëvotime dhe cenimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Për të ndihmuar kthimin e përgjigjes dhe për të qartësuar të gjithë situatën e krijuar me fletëvotime të cilat bartnin kode jo vetëm të vendvotimeve për të cilat ishin destinuar, KQZ ditë më parë kishte themeluar një komision për të vlerësuar këto fletëvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për RTKLive kthimin e përgjigjes zyrtare për PZAP-in.

 “Gjatë ditës së sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur zyrtarisht Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesën e parashtruar në këtë institucion për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut. Kjo përgjigje është pjesë e raportit të përgjithshëm që do të përgatitet më vonë dhe ku do të përfshihen edhe komuna të tjera sipas mostrës së caktuar”, tha Elezi.

Go to TOP