Kurti pret skuadrën e futsallit FC Prishtina 01
Skuadra e futsallit FC Prishtina 01 është pritur sot nga Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, i cili i ka uruar për sukseset që ekipi ka arritur si në garat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, ka njoftuar klubi kryeqytetas.
Kurti ka vlerësuar veçanërisht faktin që FC Prishtina 01 është renditur në mesin e gjashtëmbëdhjetë ekipeve më të mira të Evropës në futsall, duke e cilësuar këtë arritje si një moment historik për sportin kosovar. Ai ka inkurajuar lojtarët dhe stafin që të vazhdojnë ta përfaqësojnë Kosovën.
“Kampion i trefishtë në futsall, katër herë fitues i Kupës së Kosovës, FC Prishtina 01 tani është në mesin e 16 ekipeve më të mira të Evropës, një sukses historik për klubin dhe vendin. I përgëzova për arritjet dhe për përfaqësimin e Republikës sonë në gara ndërkombëtare dhe u urova shumë suksese në ndeshjen e radhës kundër ekipit letonez Riga, në Ligën e Kampionëve. Përpara drejt finales!”, ka shkruar Kurti.
Në takim kanë marrë pjesë presidenti i klubit, Bledion Bryma, drejtori sportiv Oso Gjinovci, trajneri Haki Ahmeti me stafin e tij, si dhe futbollistët.
FC Prishtina 01 ka falënderuar Kryeministrin për përkrahjen dhe motivimin. “E falënderojmë Kryeministrin për përkrahjen e vazhdueshme dhe për besimin që na jep për të synuar rezultate edhe më të larta, si në garat vendore, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e klubit prishtinas. /Kosova.info/
