Krasniqi akuzon OJQ-të: Po abuzojnë me fonde dhe po bëhen zëdhënës të opozitës

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj disa përfaqësuesve të organizatave joqeveritare në vend duke i akuzuar ata për abuzim me fonde dhe përfshirje në agjenda politike në favor të opozitës.

Në një postim publik, Krasniqi përmendi me emra Ismet Kryeziun, Eugen Cakollin dhe Ehat Miftarajn duke i cilësuar si “abuzues të fondeve” dhe “cenues të vlerave demokratike”.

“Ismet Kryeziu, Eugen Cakolli, Ehat Miftaraj & Co janë jo vetëm abuzues të fondeve, por me qëndrimet e tyre po cenojnë vlerat demokratike dhe të drejtën e votës duke u bërë zëdhënës të Sami Lushtakut dhe të grupeve parapolitike të opozitës,” ka shkruar Krasniqi.

Deputeti i Vetëvendosjes u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare dhe ambasadave që mbështesin këto organizata që të ndërmarrin veprime serioze të auditimit ndaj tyre.

“Këto fonde po përdoren, përveç përfitimeve personale, edhe për qëllime partiake përmes dezinformimit dhe luftës hibride,” ka shtuar ai.

Krasniqi ka kërkuar që financimet e organizatave të shoqërisë civile të jenë transparente dhe të mos shndërrohen, siç tha ai, në mjete për luftë politike kundër institucioneve të zgjedhura demokratikisht. /Kosova.info/


Go to TOP