Ten Hag dhe Overmars refuzojnë rikthimin te Ajax

Trajneri holandez Erik ten Hag dhe ish-drejtori sportiv Marc Overmars kanë refuzuar të rikthehen te Ajax, duke u dhënë fund spekulimeve për një rikthim të mundshëm në klubin ku kishin pasur sukses në të kaluarën.

Sipas gazetës holandeze “Algemeen Dagblad”, Ten Hag ka refuzuar ofertën e Ajax për shkak të mungesës së garancive dhe paqartësive të shumta brenda klubit. Ai kishte zhvilluar disa bisedime me drejtuesit pas shkarkimit të trajnerit John Heitinga, por ka vendosur të mos pranojë postin.

Ten Hag, i cili ishte larguar nga Bayer Leverkusen pas vetëm katër ndeshjeve, më herët ka refuzuar edhe një ofertë nga Wolverhampton Wanderers. Gjatë periudhës së tij te Ajax (2018–2022), ai ka fituar tre tituj kampion në Eredivisie, dy kupa të KNVB dhe e kishte çuar skuadrën në gjysmëfinalen e Champions League në sezonin 2018/19, një nga periudhat më të suksesshme të klubit në vitet e fundit.

Ndërkohë, edhe Marc Overmars ka refuzuar një rikthim në pozicionin e drejtorit sportiv. Overmars ka punuar në klubin e Amsterdamit nga viti 2012 deri në 2022, por ishte larguar pas ankesave të brendshme për sjellje të pahijshme, pasi u kishte dërguar punonjëseve të klubit mesazhe dhe fotografi që ishin konsideruar provokime. “E dua Ajaxin dhe Amsterdamin, por për mua ajo është një kapitull i mbyllur”, ka deklaruar Overmars për “De Telegraaf”.

Aktualisht, ai është drejtor sportiv i Royal Antwerp, me të cilin ka kontratë edhe për një vit e gjysmë. “Më pëlqen puna që bëj në Antwerp. Synimi ynë ishte ta bënim klubin financiarisht të qëndrueshëm, stadiumi është gati dhe tani duhet ta rindërtojmë ekipin”, ka shtuar ai.

Overmars ka zbuluar gjithashtu se është kontaktuar disa herë nga njerëz me pozita të rëndësishme në Ajax, por nuk ka pranuar të kthehet, duke theksuar se nuk dëshiron të bëhet pjesë e “lojërave politike” brenda klubit.


Go to TOP