Dënohet me 10 vjet burg ish-polici Sh.L. për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka dënuar me 10 vjet burgim të akuzuarin Sh.L., pasi është shpallur fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, e parashikuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 14 tetori 2023 e deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Sh.L. u akuzua se gjatë viteve 1998–1999, në kohën e luftës në Kosovë, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor të Prizrenit, kishte marrë pjesë në veprime të dhunshme ndaj popullsisë civile shqiptare.

Në vendim thuhet se i dënuari, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kishte kryer arrestime, rrahje, maltretime dhe trajtime çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë, duke përdorur edhe rrymë elektrike gjatë marrjeve në pyetje. Si pasojë e këtyre veprimeve, një nga të ndaluarit, R.J., kishte humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kishin pësuar lëndime të rënda trupore.

Të dëmtuarit janë udhëzuar që kërkesat për kompensim t’i realizojnë në procedurë civile.

Gjykata ka urdhëruar që i dënuari të paguajë shpenzimet gjyqësore dhe taksat ligjore në shumën totale prej 400 eurosh, brenda 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndaj Sh.L. vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit, por jo më gjatë se periudha e dënimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


Go to TOP