Skandal në Turqi, arrestohen tetë persona e hetohen 1024 futbollistë
Autoritetet turke kanë arrestuar tetë persona, mes tyre edhe kryetarin e klubit të Superigës, Eyupspor, Murat Ozkaya.
Kjo pasi ai dyshohet për përfshirje në baste të paligjshme në ndeshje futbolli.
Ndërkohë, Federata e Futbollit e Turqisë ka pezulluar 1024 futbollistë nga të gjitha ligat, përderisa ka nisur procedurat disiplinore. Mes tyre janë njëzet e shtatë lojtarë të Superligës, duke përfshirë edhe futbollistë të Galatasaray dhe Besiktas.
Federata ka kërkuar nga FIFA që të hapet një periudhë e re pesëmbëdhjetë ditore e transferimeve brenda vendit për sezonin 2025–2026, me qëllim që klubet të plotësojnë mungesat në skuadra.
Gjithashtu, Federata ka pezulluar për dy javë ndeshjet në ligën e dytë dhe të tretë në Turqi, ndërsa të martën pritet një mbledhje e jashtëzakonshme e bordit drejtues.
Ky skandal vjen vetëm disa ditë pasi ishin pezulluar 149 gjyqtarë dhe asistentë, pas zbulimit se qindra prej tyre kishin llogari bastesh, e shumë kishin vënë baste në mijëra ndeshje.
Kreu i federatës, Ibrahim Haciosmanoglu, e ka quajtur situatën “krizë morale në futbollin turk”.
