Policia: Procesi i balotazhit 2025 kalon i qetë, pa incidente serioze

Policia e Kosovës ka vlerësuar se procesi zgjedhor i balotazhit 2025 është zhvilluar i qetë dhe pa incidente serioze në të gjitha komunat e përfshira në këtë rund të dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas komunikatës së policisë, plani operacional për mbarëvajtjen e zgjedhjeve është zbatuar me sukses, duke garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas votimit.

“Angazhimi i zyrtarëve policorë dhe koordinimi ndërinstitucional kanë ndikuar pozitivisht që i tërë procesi të kalojë pa incidente madhore që do të cenonin zgjedhjet”, thuhet në njoftim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, Policia ka iniciuar dy raste penale: një në Fushë Kosovë për “dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin”, ku janë arrestuar dy persona, dhe një tjetër në Klinë për “cenim të fshehtësisë së votimit”, me një të arrestuar. Të tre personat janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorëve kompetentë, njofton policia.

Gjatë ditës, kjo e fundit ka trajtuar gjithashtu 51 informacione të ndryshme të lidhura me procesin zgjedhor, por pas vlerësimit nga prokurorët, është konstatuar se nuk ka pasur elemente që përbëjnë vepra penale, prandaj janë evidentuar vetëm si informacione.

Në përfundim, Policia e Kosovës ka vlerësuar se suksesi i këtij operacioni është rezultat i planifikimit të mirë operacional, punës së zyrtarëve policorë dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet tjera.

Po ashtu, ajo ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe kulturën e lartë demokratike të treguar gjatë procesit të balotazhit.

Go to TOP