Kurti: Me Valon Prebrezën, Fushë Kosova do të funksionojë për të gjithë

Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka apeluar tek qytetarët e Fushë Kosovës që të votojnë në balotazh për Valon Prebrezën, kandidatin e VV-së për kryetar të komunës.

Në një mesazh të publikuar për qytetarët, Kurti kritikoi qeverisjet e mëparshme duke theksuar se për më shumë se 20 vjet zhvillimi në këtë komunë ka qenë i mangët. Ai përmendi probleme të dukshme si infrastruktura e dobët, mungesa e hapësirave publike, shkolla të mbipopulluara dhe fshatra pa ujë të pijes.

“Kohën s’e kthejmë dot prapa, por nesër mund të vendosim për katër vitet e ardhshme. Vendosim për rend, plan, drejtim. Me Valon Prebrezën planifikimi zëvendëson improvizimin. Qeverisja i kthehet qytetarit. Ndërtimi i shërben zhvillimit,” tha Kurti.

Ai bëri thirrje që të dielën, më 9 nëntor, qytetarët të bashkohen me numrin 105 dhe me Lëvizjen VETËVENDOSJE! për të zgjedhur një kryetar që mban fjalën dhe shërben për të gjithë qytetarët dhe komunitetet pa dallim.

“Për një Fushë Kosovë që punon dhe funksionon, për një kryetar që u shërben të gjithë qytetarëve, të gjithë komuniteteve, pa dallim,” përfundoi Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP