Plakolli: Mitrovica të bashkohet për ta votuar Arian Tahirin – për një Mitrovicë të mitrovicalive!
Kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka bërë thirrje për unitet qytetar në prag të balotazhit duke kërkuar që të gjithë mitrovicasit të përkrahin kandidatin e LDK-së për kryetar të komunës, Arian Tahirin.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Plakolli falënderoi të gjithë ata që i dhanë besimin LDK-së dhe atij personalisht në raundin e parë të zgjedhjeve duke e quajtur këtë përkrahje “një përpjekje vullnetmirë dhe të sinqertë të të gjithëve”.
“Është momenti i rëndësishëm kur e tërë Mitrovica të bashkohet për të përkrahur kandidatin Arian Tahirin për Kryetar të Mitrovicës. Ju ftoj të gjithë anëtarët e LDK-së – të rinj e të vjetër, burra e gra, djem e vajza – që nesër të dilni dhe votoni Arianin, sepse kështu do të jemi së bashku pjesë e fitores dhe pjesë e qeverisjes,” u shpreh Plakolli.
Ai shtoi se Mitrovica ka nevojë për një udhëheqje që i përket qytetarëve të saj duke theksuar se “kjo është një Mitrovicë e mitrovicalive, jo e atyre që vijnë natën, frikësojnë dhe tjetërsojnë votën”.
Në fund, Plakolli u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë lirshëm dhe pa frikë: “Pa frikë, votoni lirshëm, votoni Kryetarin e përbashkët të Mitrovicës!”. /Kosova.info/
