Krasniqi: 100 eurot e Albin Kurtit për studentë do t’i kthehen bumerang VV-së më 9 nëntor
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar vendimin e qeverisë për shpërndarjen e 100 eurove për studentët, vetëm disa ditë para zgjedhjeve.
Sipas Krasniqit, ky është një veprim i vonuar dhe i motivuar politikisht, dhe jo një përpjekje reale për të ndihmuar studentët. “Një kryeministër mashtrues që i ka harruar studentët për pesë vite, tani kinse po kujtohet për ta tri ditë para zgjedhjeve – jo për t’i ndihmuar, por duke dashur t’i mashtroj me nga një mesazh propagandistik dhe 100 euro në llogari,” tha ai.
Krasniqi thekson se studentët e dinë diferencën mes ndihmës reale dhe propagandës elektorale. Ai shton se ata, bashkë me familjet e tyre që i edukojnë me sakrificë, më 9 nëntor do të japin përgjigjen e tyre me votë, me dinjitet dhe me vetëdije.
Ky reagim vjen në një kohë kur qeveria po përpiqet të prezantojë masa sociale për studentët pak ditë para zgjedhjeve lokale duke ngjallur diskutime mbi motivet e vërteta të këtij veprimi. /Kosova.info/
