KMDLNj publikon dokumente që dëshmojnë lejet e vizitave për Astrit Deharin – kundërshton pretendimet e gjykatësit Kashtanjeva

Më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, humbi jetën i paraburgosuri Astrit Dehari – një ngjarje që vazhdon të ngjallë dyshime për manipulime dhe ndërhyrje politike. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kujtuar sot se ishte ndër të parët që vizitoi qelinë ku ndodhi tragjedia duke intervistuar bashkëqelitë, oficerët korrektues, mbikëqyrësin dhe stafin shëndetësor. Pas këtyre takimeve, KMDLNj hartoi raportin e parë dhe kërkoi hetime të plota profesionale, përfshirë edhe një ekspertizë mjeko-ligjore jashtë vendit.

Sipas KMDLNj-së, kërkesa e familjes Dehari që ekspertiza të kryhej në Zvicër u miratua nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, pa asnjë kufizim financiar.

Në një raport të vitit 2016, KMDLNj bëri të ditur se në vizitë te Astrit Dehari kishin qenë, përveç anëtarëve të familjes, edhe Dardan Molliqaj dhe Sami Kurteshi, me leje të nënshkruar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjeva. Megjithatë, ky i fundit e kishte mohuar një gjë të tillë publikisht, madje edhe në një paraqitje televizive në Klan Kosova duke hedhur dyshime mbi raportin e KMDLNj-së.

Për të sqaruar opinionin publik, KMDLNj ka publikuar dokumentet zyrtare që dëshmojnë se lejet për vizitat ishin lëshuar me firmën e gjykatësit Kashtanjeva.

Në dokumentin e parë, me datë 25 tetor 2016 (PPR.KR.nr. 373/2016), Departamenti për Krime të Rënda njofton Qendrën e Paraburgimit në Prizren se XH.D., A.D., A.B. dhe Dardan Molliqaj lejohen të vizitojnë të pandehurin Astrit Dehari më 27 tetor 2016, nën mbikëqyrje dhe për një kohëzgjatje prej një ore.

Në dokumentin e dytë, të datës 1 nëntor 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda (me të njëjtin numër lënde) – lejon XH.D., A.D., A.B. dhe Sami Kurteshi të vizitojnë Deharin më 3 nëntor 2016, po ashtu për një orë dhe nën mbikëqyrje të autorizuar.

Të dyja lejet janë të nënshkruara nga Vehbi Kashtanjeva, gjykatës i procedurës paraprake.

KMDLNj ka theksuar se nuk jep më shumë të dhëna për rastin, por për shkak të interesit të lartë publik, ka bërë me dije se gazetarët, hulumtuesit dhe profesionistët e fushës mund të kërkojnë qasje në dokumentet zyrtare në përputhje me ligjin për qasje në dokumente publike. /Kosova.info/


Go to TOP