Zyla Kadriu niset drejt Mongolisë – nga Skënderaj në ekipin Darkhan Moguls

Volejbollistja e talentuar e Kombëtares së Kosovës, Zyla Kadriu, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e saj ndërkombëtare duke u transferuar te skuadra Darkhan Moguls në Mongoli.

Kadriu, e cila vjen nga KV Skënderaj, tashmë është e vetmja lojtare evropiane në përbërjen e ekipit aziatik – një arritje e veçantë dhe historike për volejbollin kosovar.

Pasuesja e Kombëtares së Kosovës ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme që nga hapat e parë në vendlindje, për të vazhduar më pas në Skënderbeu Korçë dhe në arenën universitare amerikane me Northwood Timberwolves, përpara se të rikthehej në Skenderaj dhe të ndërmerrte këtë aventurë të re në Azi.

Ky transferim shënon një tjetër dëshmi të potencialit dhe profesionalizmit të volejbollisteve kosovare që po përfaqësojnë denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Federata e Volejbollit e Kosovës i ka uruar Kadriut shumë suksese në këtë etapë të re duke e cilësuar si një përfaqësuese të denjë të sportit dhe talentit kosovar në botë. /Kosova.info/

Go to TOP