Shehu falënderon mërgatën: Ju jeni madhështia e fitores së LDK-së në Junik
Kryetari dhe kandidati për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka dërguar një mesazh të veçantë për mërgatën e Junikut duke e cilësuar atë si “gjysmën e zemrës së Junikut” dhe duke i thirrur të injorojnë kërcënimet, mashtrimet dhe provokimet e kundërshtarëve politik.
Shehu ka bërë të ditur se deri më tani mbi 900 vota të konfirmuara për LDK-në janë regjistruar nga votuesit e Junikut, dhe se gjatë dy ditëve të ardhshme pritet të shtohen edhe 100 vota të tjera, që do të vulosin përfundimisht fitoren e partisë në komunë.
“Pikërisht mërgata e Junikut është madhështia e fitores tonë të dielën e 9 nëntorit,” ka theksuar Shehu duke shtuar se kjo përkrahje do të shpërblehet me më shumë punë, përkushtim dhe projekte konkrete për të ardhmen e Junikut.
Ai ka përmbyllur mesazhin me një mesazh të fuqishëm për vetëvendosjen lokale: “Transformimin e Junikut nuk mund ta ndal askush, sepse për Junikun vendosin vetëm junikasit.” /Kosova.info/
