PDK kërkon zgjedhje të reja: Vetëm qytetari mund t’i japë zgjidhje krizës politike

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar duke theksuar se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin aktual në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në deklaratën e saj, PDK vlerëson se është bërë e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, nuk mbështesin më një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje. Prandaj, sipas PDK-së, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të ishte humbje kohe dhe do ta thellonte mungesën e besimit në institucione.

“Ashtu siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Lëvizja Vetëvendosje. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Partia opozitare konsideron se injorimi i këtij realiteti vetëm sa do të thellonte krizën politike, do të zgjaste pasigurinë institucionale dhe do të dëmtonte më tej stabilitetin e vendit.

Në emër të përgjegjësisë dhe të besimit qytetar, PDK bën thirrje për t’i dhënë fund çdo “skeme zvarritëse, improvizimi politik dhe përpjekjeje për ta mbajtur peng shtetin për interesa të ngushta partiake”.

Sipas kësaj partie, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat do t’i kthejnë qytetarëve të drejtën për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për të garantuar legjitimitetin e institucioneve të reja.

Në fund të deklaratës, PDK thekson se kriza e zgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar sipas saj nga Lëvizja Vetëvendosje, ka dëmtuar ekonominë, mirëqenien e qytetarëve dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, partia paralajmëron rrezikun që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë, duke rrezikuar pagesat për qytetarët në vitin e ardhshëm.

“PDK mbetet e përkushtuar të kontribuojë në çdo proces që i shërben stabilitetit, funksionimit normal të institucioneve dhe forcimit të demokracisë parlamentare në vend”, përfundon reagimi. /Kosova.info/

Go to TOP