Shehu paralajmëron padi ndaj AAK-së në Junik: Mjaft është mjaft, shpifjet s’do t’i falim

Kryetari dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Komunën e Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar ashpër ndaj degës së AAK-së dhe kryetarit Agron Kuçi duke i akuzuar për shpifje dhe ofendime ndaj votuesve të Junikut gjatë fushatës zgjedhore.

“Mjaft është mjaft! Ne e kuptojmë se jemi në fushatë zgjedhore, mirëpo kjo nuk është arsye për të ofenduar dhe për të shpifur,” shkroi Shehu. Ai theksoi se si PZAP, ashtu edhe Gjykata Supreme, kanë konfirmuar se pretendimet e AAK-së janë “të pabazuara deri në qiell”.

Shehu paralajmëroi se nëse AAK-ja dhe Agron Kuçi nuk largojnë postimet fyese nga rrjetet sociale dhe nuk kërkojnë falje publike, do të përballen me padi ligjore. “Në këtë mënyrë do t’ju mundim edhe me vota në zgjedhje, por edhe me argumente ligjore në gjykatë. Humbja e fundit në PZAP dhe Gjykatën Supreme nuk ju paska mjaftuar,” deklaroi ai.

Ai po ashtu akuzoi eksponentë të AAK-së se po përpiqen të frikësojnë qytetarët nga pjesëmarrja në zgjedhje përmes kërcënimeve me kallëzime penale. “Ju lutem, mos u frikësoni. Në fund, ata do të japin përgjegjësi penale, jo qytetarët apo mërgata e Junikut,” theksoi Shehu.

Në fund të reagimit të tij, ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive më 9 nëntor duke u zotuar për një fitore të madhe për LDK-në.

“Pushteti nuk merret me shpifje, por me argumente dhe projekte për të mirën e qytetit. Fatkeqësisht AAK nuk i ka as njërën as tjetrën. Prandaj më 9 nëntor, fitorja jonë do të jetë historike dhe madhështore,” përfundoi Shehu.

#LDK113

#JunikuPërtej /Kosova.info/

Go to TOP