Tahiri pas marrëveshjes me LDK-në: Ky është koalicioni i fitores, për Mitrovicën dhe mitrovicasit
Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka reaguar pas zyrtarizimit të marrëveshjes së bashkëqeverisjes ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në këtë komunë.
Në një postim publik, Tahiri ka theksuar se kjo marrëveshje është një hap përtej dallimeve politike, me qëllim të ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për qytetin e Mitrovicës.
“Sot e vendosëm Mitrovicën mbi dallimet politike që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë në qytetin tonë. Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë,” ka shkruar Tahiri.
Ai shtoi se bashkimi dhe puna me një qëllim të përbashkët do të sjellë fitore për qytetin dhe qytetarët: “Kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton. Ky është koalicion për Mitrovicën dhe mitrovicasit. Ky është koalicioni i fitores!”.
Marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së parashikon që LDK-ja të drejtojë katër drejtori komunale dhe të ketë pozitën e kryeshefit ekzekutiv duke krijuar kështu një shumicë të re në qeverisjen lokale të Mitrovicës. /Kosova.info/
