Historianët e Deçanit propozojnë formimin e Qeverisë së unitetit kombëtar me në krye Armend Mehajn

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka kërkuar formimin e një Qeverie të unitetit kombëtar duke vlerësuar se vendi ndodhet në një periudhë të vështirë dhe përballë një bllokade totale institucionale. Sipas tyre, një qeveri e tillë do të ishte rruga më e drejtë për të garantuar stabilitetin politik, funksionimin normal të institucioneve dhe daljen nga kriza aktuale.

Në komunikatën e lëshuar nga historianët deçanas, thuhet se kjo qeveri duhet të ketë si prioritet mbrojtjen e rendit kushtetues, forcimin e institucioneve shtetërore dhe thellimin e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë strategjikë, veçanërisht me aleatët e sigurisë së Kosovës.

“Një emër i cili do të mund t’i prijë kësaj Qeverie të unitetit kombëtar dhe që ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë dhe unitetit kombëtar, si dhe qëndron mbi subjektet politike, është Armend Mehaj, ish-ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës,” thuhet në komunikatë.

Historianët e Deçanit propozojnë që Armend Mehaj të jetë kryeministër i Qeverisë së unitetit kombëtar me mandat njëvjeçar duke pasur tri objektiva kryesore:

Miratimin e buxhetit të vendit;

Zgjidhjen e ngërçit institucional që lidhet me Presidencën;

Organizimin e zgjedhjeve të reja pas një viti.

Sipas tyre, një qasje e tillë do të garantonte stabilitetin politik, institucional dhe ekonomik të Republikës së Kosovës.

Në komunikatë theksohet gjithashtu se Armend Mehaj gëzon vlerësim të lartë nga faktori vendor dhe ai ndërkombëtar, për shkak të bashkëpunimit të tij të ngushtë me aleatët amerikanë dhe evropianë, si dhe për shkak të qëndrimit të tij të paanshëm dhe të përkushtuar ndaj interesit kombëtar.

“Mehaj ka dëshmuar se nuk ka ambicie personale politike, por vullnet të sinqertë për t’i shërbyer shtetit dhe interesit kombëtar. Kjo qasje parimore bën që ai të respektohet nga të gjitha partitë politike dhe nga mbarë opinioni publik,” theksojnë historianët.

Sa i përket përbërjes së Qeverisë së unitetit kombëtar, ata propozojnë që ministrat të ndahen në mënyrë të barabartë – 50% nga subjektet politike dhe 50% nga sfera akademike dhe profesorati universitar, me qëllim sigurimin e profesionalizmit, ekuilibrit dhe përfaqësimit gjithëpërfshirës.

Në fund, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Deçan – thekson se ky propozim është një zgjidhje e pranueshme dhe unifikuese, jo vetëm për skenën politike të Kosovës, por edhe për faktorët politikë shqiptarë në Shqipëri dhe në të gjitha trevat ku shqiptarët përbëjnë elemente shtetformuese. /Kosova.info/


Go to TOP