Rama: Rruga ‘1 Tetori’ do të lidhë Velaninë me Bregun e Diellit – në plan edhe ndriçimi modern, palestra vertikale dhe një çerdhe e re

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar rrugën e re “1 Tetori”, e cila pritet të lidhë lagjen Velania me Bregun e Diellit duke e quajtur këtë projekt një investim të rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit dhe zhvillimin urban të zonës.

“Jam këtu në rrugën e re ‘1 Tetori’ e cila e lidh Velaninë me Bregun e Diellit atje naltë. Shpresoj që me marrëveshje me ujësjellësin këtë do ta bëjmë tash menjëherë shumë shpejt, përndryshe do ta ndërlidhim këtu me pjesën tjetër të Velanisë,” ka deklaruar Rama.

Ai ka bërë të ditur se krahas kësaj rruge, komuna po punon edhe në modernizimin e ndriçimit publik në të gjitha zonat e Velanisë, përfshirë edhe segmentin e ri të “1 Tetorit”.

“Do të ketë ndriçim modern, më shumë kontejnerë dhe përmirësim të infrastrukturës së pastrimit,” ka shtuar kryetari.

Rama ka paralajmëruar gjithashtu ndërtimin e një palestre vertikale afër qendrës mjekësore familjare në Velani, si dhe një çerdhe të re për banorët e kësaj lagjeje.

Sipas tij, këto projekte janë pjesë e planit për ta bërë Prishtinën një qytet më funksional, më të lidhur dhe me cilësi më të mirë jete për qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP