Kraki: Vëllai i Avdulla Hotit nga Rahoveci del votues në Junik

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Neziri Kraki, ka ngritur sot akuza të forta lidhur me manipulimin e listave të votuesve në Junik duke përmendur rastin e Tafil Hotit, vëllait të ish-kryeministrit dhe deputetit të LDK-së, Avdulla Hoti.

Sipas Krakit, në mesin e mbi 300 personave që janë shtuar si votues në Junik për të ndihmuar kryetarin aktual, figuron edhe Tafil Hoti, banor i Rahovecit, i cili në dokumente rezulton se jeton në shtëpinë e një familjeje junikase.

“Vëllai i Avdulla Hotit e ka lëshuar Rahovecin dhe tash bashkëjeton me një familje në Junik. A e kuptoni sa e sofistikuar ka qenë skema e mashtrimit me të dhëna personale për të ndikuar në vullnetin e votuesve?”, ka shkruar Kraki.

Deputeti i VV-së i bëri thirrje Avdulla Hotit të sqarojë publikisht këtë situatë dhe organet e rendit ta hetojnë rastin: “I bëj thirrje Zotit Hoti të na sqarojë pse e ka lënë vëllain pa hise dhe e ka detyruar të strehohet në një familje në Junik. Junikasit duhet ta dinë që vullneti i tyre është deformuar nga votues fiktivë. Hetuesia duhet ta marrë seriozisht këtë skemë kriminale, që mund të përsëritet edhe në zgjedhje të tjera.”

Kraki ka paralajmëruar se kjo çështje do të ndiqet deri në fund, për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në sistemin demokratik. /Kosova.info/


Go to TOP