Prishtina në qendër të agjendës evropiane – Rama: E ardhmja e Kosovës fillon nga qytetet
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori pjesë në takimin e dytë të Grupit Punues për Kosovën, organizuar nga Komiteti Evropian i Rajoneve, shkruan Kosova.info.
Ai tha se ky është një moment i rëndësishëm për të treguar se e ardhmja evropiane e Kosovës fillon nga qytetet, nga mënyra se si edukojmë, ndërtojmë dhe bashkëqeverisim.
“Së bashku me partnerët evropianë po ndërtojmë një qytet që ofron arsim modern, qasje digjitale, energji të gjelbër dhe infrastrukturë të qëndrueshme – themelet e një kryeqyteti evropian në çdo kuptim,” shkroi Rama.
Kryetari theksoi se Prishtina është gati të jetë pjesë aktive e këtij procesi, një qytet që bashkëpunon, inovon dhe udhëheq drejt standardeve evropiane. /Kosova.info/
