Shehu: Gjykata Supreme rrëzoi përfundimisht ankesën e AAK-së në Junik, propaganda e tyre mori fund
Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka refuzuar si të pabazuar ankesën e degës së AAK-së në Junik lidhur me listën e votuesve në komunë.
Shehu ka theksuar se me këtë vendim përfundimtar, të gjitha pretendimet e AAK-së janë hedhur poshtë nga të gjitha instancat gjyqësore kompetente – fillimisht nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e tani edhe nga Gjykata Supreme me vendimin AA.nr.100/2025.
“Të dashur junikas, që nga 12 tetori deri më sot, AAK dega në Junik kanë zhvilluar një fushatë propaganduese të ulët, me ç’rast ata kanë tentuar të arsyetojnë dështimin e tyre në rundin e parë të zgjedhjeve. Sot, edhe Gjykata Supreme e refuzoi ankesën e tyre si të pabazuar. Propaganda e tyre mori përgjigjen e duhur gjyqësore”, ka deklaruar Shehu.
Ai shtoi se AAK-ja nuk po e respekton demokracinë dhe ligjshmërinë duke humbur jo vetëm në zgjedhje por edhe në betejat gjyqësore.
“Shehu u bëri thirrje qytetarëve të Junikut që të ruajnë qetësinë dhe të kenë besim në institucionet e drejtësisë duke theksuar se më 9 nëntor përgjigjja e vërtetë do të jepet në kutitë e votimit.”
Në fund, ai u shpreh se Juniku nuk do të kthehet më në periudhën 2009–2021, të cilën e quajti si “vite të ngecjes nën kthetrat e atyre që as nuk janë të Junikut dhe as nuk shqetësohen për nevojat e tij”.
“Juniku është i junikasve. Kjo epokë ka përfunduar përgjithmonë”, përfundoi Shehu. /Kosova.info/
