Gërvalla: Në Mitrovicë po përplasen dy koncepte – ai i ndarjes së Kosovës dhe ai i rikthimit të sovranitetit

Bashkëkryesuesja e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka deklaruar se zgjedhjet në Mitrovicë përfaqësojnë përplasjen e dy koncepteve të mëdha politike – atë të së kaluarës dhe të së tashmes.

Sipas saj, në njërën anë qëndron koncepti i PDK-së së pasluftës dhe i ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilët, siç theksoi ajo, “i kanë kontribuar ndarjes së Kosovës, i kanë lejuar bandat kriminale serbe të funksionojnë në veri dhe kanë qenë të gatshëm ta ndajnë Kosovën në urën e Ibrit.”

Në anën tjetër, Gërvalla tha se qëndron koncepti i Albin Kurtit dhe i gjithë atyre që e mbështesin, “që synon rikthimin e sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës, cep më cep në vend.”

Deklarata e saj vjen në kuadër të zhvillimeve politike dhe përgatitjeve për balotazhin zgjedhor, ku Mitrovica mbetet një nga komunat me simbolikën më të fortë politike dhe kombëtare në vend. /Kosova.info/

Go to TOP