VV dhe AAK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për Prizrenin
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prizrenit, Artan Abrashi, ka njoftuar sot për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me kryetarin e degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren, Besnik Krasniqi.
Sipas Abrashit, kjo marrëveshje synon ndërtimin e një qeverisjeje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin e Prizrenit.
“Sot, në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Prizren, e përfaqësuar nga unë si kryetar, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e përfaqësuar nga kryetari z. Besnik Krasniqi, nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin tonë,” ka bërë të ditur Abrashi.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi mes dy subjekteve ka vetëm një qëllim – t’u shërbejë qytetarëve të Prizrenit dhe të garantojë që çdo vendim, projekt dhe investim të jetë në dobi të komunitetit.
“Bashkë, me përkushtim dhe përgjegjësi, do të punojmë për zhvillim ekonomik e infrastrukturor, arsim e rini, si dhe për një qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse. Prizreni është mbi çdo interes partiak,” ka shtuar Abrashi.
Në përmbyllje, ai theksoi se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një të ardhmeje më të mirë për qytetin e Prizrenit dhe të gjithë banorët e tij. /Kosova.info/
