Presidentja Osmani takon Presidentin e Mauritanisë në Riad: Theksohet vullneti për bashkëpunim bilateral dhe ndërkombëtar
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Riad, është takuar me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani.
Në njoftimin e saj, Presidentja Osmani ka vlerësuar takimin si shumë të mirë duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve.
“Një takim shumë i mirë në Riad me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani. Biseduam për forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Mauritanisë, gatishmërinë për të punuar së bashku në nivel ndërkombëtar, si dhe për angazhimin tonë të ndërsjellë në thellimin e bashkëpunimit bilateral”, ka shkruar Presidentja Osmani. /Kosova.info/
